Një sulm i rëndë me armë zjarri ka tronditur Jordaninë, ku persona ende të paidentifikuar kanë hapur zjarr brenda një kishe në provincën Karak, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur.
Ngjarja është raportuar të premten nga televizioni shtetëror jordanez, ndërsa autoritetet kanë nisur menjëherë operacionin për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Sipas agjencisë Reuters, e cila citon Drejtorinë e Sigurisë Publike të Jordanisë, forcat e rendit janë vënë në kërkim të personave të armatosur që dyshohet se qëndrojnë pas sulmit. Mediat greke raportojnë për shtatë viktima, por ky bilanc nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet jordaneze. Ende nuk ka të dhëna të sakta për numrin e personave të plagosur.
Deri më tani, nuk janë bërë të ditura identitetet e autorëve dhe as motivet e sulmit. Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar bilancin e plotë të viktimave dhe të plagosurve.
