Sulm i mirëmenduar i qeverisë për të gjunjëzuar grupin Hysenbelliu. Kështu e cilëson analisti Genc Burimi shembjen e “Prestige Resort”, teksa komentoi në News24 me gazetaren Marsela Karapanço raportin e DASH, ku i bëhet jehonë edhe këtij aksioni të qeverisë.

Burimi tha se raporti është një arritje e konsiderueshme për median dhe grupin ku kjo media bën pjesë.

“Mediatizimi i kësaj afere tepër shokuese që duke sikur kishte ngecur në kuadrin shqiptaro-shqiptar, por me letrën e hapur që ju gazetarët i dërguat kancelarive ndërkombëtare, plus në këtë raport të bëjnë përshtypje dy elementë kryesorë. Elementi i parë citimi i kësaj afere që duket e ngushtë, e vogël si aferë, por që ta gjesh në një raport të DASH tregon dhe njëherë shkallën e lartë të rrezikshmërisë së aktit të ndërmarrë nga qeveria e Edi Ramës jo vetëm kundër një grupi privat, një medie të lirë, por kundër vetë pronës private në Shqipëri. Mos harroni këtë gjë është media në lojë, por është dhe prona private në lojë. Kjo shokon dhe amerikanët sepse çdokush mund të vijë të shkatërrojë pronën private dhe pa asnjë vendim drejtësie. Është dobësim ekonomik i grupit Hysenbelliu në mënyrë që pak nga pak t’i mbyllej goja”, tha Burimi.

Ai theksoi se kur e thotë grupi Hysenbelliu, ose kur e thotë opozita me sa duket kjo nuk ka shumë impakt te taborët e Edi Ramës, por tani që ia thotë dhe partneri i tij amerikan duhet të mendojë se gjërat nuk mund të vazhdojnë më kështu.

“Kjo është pika e parë. Pika e dytë; ajo që më bëri përshtypje sigurisht përtej rastit të prishjes së Prestige Resort ishte pikërisht me çfarë guximi raporti i DASH shkruan tekstualisht, po citoj Zërin e Amerikës ‘që ndonëse Kushtetuta e re e Shqipërisë parashikon një gjyqësor të pavarur jemi larg pavarësisë së këtij gjyqësori për shkak të korrupsionit, të presioneve, të frikësimit etj. Kjo drejtësi sot që ne themi prej kohësh është drejtësi e kapur këtë e thonë vetë amerikanët. Vetë kumbarët e drejtësisë shqiptare arrijnë sot në pikën ku e pranojnë vetë që kjo drejtësi nuk është e pavarur, tregon dhe njëherë sfidën që ka Shqipëria për të arritur standardet më minimale të një demokracie funksionale.
Dhe sikur të merrej një vendim nga drejtësia që të kishte miratuar shkatërrimin e Prestige Resort dhe ky vendim do ishte i ngjyrosur me tone anësie po të lexojmë raportin e DASH që thotë se se drejtësia nuk është e pavarur në Shqipëri”, deklaroi analisti.

Sipas tij, në Shqipëri nuk ka më balancë të pushteteve.
“Ka katër shtylla demokracia, që janë ekzekutivi, legjislativi, gjyqësori dhe media.
Dy shtylla që janë drejtësia dhe media në këtë raport nuk funksionojnë. Legjislativi dhe ekzekutivi po ashtu janë në duart e të njëjtit person. Pra sot në Shqipëri çfarë funksionon?! Nuk ke më sot në Shqipëri ajo që quhet balancë e pushteteve. Nuk ekziston më kjo. Duhet balancë e pushteteve, përndryshe një pushtet që nuk ka më fre përballë tij, mund të shkojë në ekstremitete, deri në kufizimin e lirive themelore”, deklaroi Burimi.

Duke iu referuar gjobave ndaj këtij grupi mediatik, ai tha më tej se bëhet fjalë për gati 18 mln euro gjoba të vendosura në një hapësirë kohore 10 muaj, duke e cilësuar një sulm të mirëmenduar të qeverisë.

“Është një përshkallëzim, sulm i mirëmenduar nga ana e qeverisë për ta gjunjëzuar grupin Hysenbelliu me qëllim që ose të thotë ky grup që shiko ti qeveri më thuaj çfarë do ti dhe unë ta vë këtë grup në shërbim të propagandës tënde, ose kjo qeveri e kërcënon këtë grup me falimentim. Tjetër lexim nuk ka. Në të dyja raste shihet dhe njëherë se Edi Rama synon sot grupin më të madh, më të fuqishëm dhe më influencues mediatik në Shqipëri për t’i mbyllur gojën, për më tepër në një periudhë elektorale dhe për më tepër në një periudhë kur priten shumë zhvillime në frontin McGonigal ku qeveria duhet të japë llogari.
Me sa duket Ramës nuk i pëlqeu rreshtimi i këtij grupi mediatik. Edi Ramës nuk i pëlqeu që mediat News24, Panorama, BalkanWeb nuk shkuan sipas hesapit të qeverisë për t’i qëndruar larg aferës McGonigal. Duhet të vazhdoni të rezistoni.

E drejta vonon, por nuk harron, nëse shohim që ndihma ju vjen sot nga vetë nga Uashingtoni, nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku një raport që ngelet në histori, gjendet dhe episodi i prishjes pa proces dhe pa asnjë justifikim të Prestige Resort si pjesë e një fushate për t’i mbyllur gojën mediave të Hysenbelliu Group. Është një mirënjohje që vjen nga Uashingtoni dhe këtë mund ta vlerësoni”, tha Burimi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb