Të paktën tre persona, mes tyre një vajzë vetëm 7 vjeçe, kanë humbur jetën nga një sulm ajror izraelit ndaj një kampi për palestinezët e zhvendosur në jug të Rripit të Gazës. Sulmi goditi zonën Al-Mawasi, në perëndim të qytetit Khan Yunis, ku mijëra familje kanë gjetur strehim pas shkatërrimeve të shkaktuara nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit. Sipas autoriteteve palestineze, nga bombardimi kanë mbetur edhe disa të plagosur, përfshirë gra dhe fëmijë.
Mahmoud Bashal, zëdhënës i Mbrojtjes Civile në Gaza, deklaroi për agjencinë AFP se ekipet e shpëtimit nxorën tre viktima nga vendi i sulmit, mes tyre një vajzë të mitur. Ministria e Arsimit në Gaza bëri të ditur se vajza ishte vetëm 7 vjeçe, ndërsa spitali Nasser në Khan Yunis konfirmoi se kishte pranuar trupat e tre viktimave, si dhe disa persona të plagosur. Ndërkohë, tensionet janë përshkallëzuar edhe në pjesën qendrore të enklavës palestineze. Sipas burimeve lokale të cituara nga AFP, tanke dhe automjete ushtarake izraelite, të shoqëruara nga një buldozer, kanë depërtuar në një zonë në lindje të qytetit Deir al-Balah, duke kaluar në perëndim të vijës së verdhë që përcakton zonat e kontrollit ushtarak.
Lëvizja e forcave izraelite është shoqëruar me të shtëna intensive në drejtim të zonave ku strehohen qindra familje palestineze të zhvendosura. Sipas Mbrojtjes Civile në Gaza, vetëm gjatë 24 orëve të fundit, 11 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 50 të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore dhe të shtënat izraelite. Zhvillimet vijnë pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor 2025, pas dy vitesh lufte të nisur nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Izraeli dhe Hamasi vazhdojnë të akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit, ndërsa situata humanitare në Gaza mbetet e rëndë.
Israeli drones are dropping incendiary materials on makeshift tents near Shujaiya in eastern Gaza City in an attempt to force displaced Palestinians to flee the area
Displaced people report that at least 350 tents have been burned https://t.co/d41MlnQHln
— Maha Hussaini (@MahaGaza) October 25, 2026
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, më shumë se 1,500 palestinezë janë vrarë që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit. Ndërkohë, Izraeli deklaron se kontrollon mbi 60 për qind të territorit të Rripit të Gazës, ndërsa pjesa më e madhe e popullsisë palestineze është përqendruar në zonat e mbetura jashtë kontrollit të tij.
