Një foshnjë gjashtëmuajshe ka humbur jetën në periferi të Moskës pasi mbetjet e një droni të rrëzuar ranë mbi një banesë private gjatë natës, njoftuan autoritetet ruse. Sipas guvernatorit të rajonit të Moskës, Andrei Vorobyov, foshnja u nxor e gjallë nga rrënojat së bashku me një fëmijë tjetër dhe dy të rritur, por ndërroi jetë gjatë transportit për në spital.

Ndërkohë, një tjetër person u vra në rajonin rus të Belgorodit si pasojë e një sulmi me dron ukrainas, ndërsa një grua 61-vjeçare humbi jetën në rajonin e Tverit, pasi mbetjet e një droni të rrëzuar ranë mbi shtëpinë e saj.

Në të njëjtën kohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se forcat ukrainase kanë goditur për herë të dytë brenda një jave qendrën e komunikimit satelitor Dubna, në rajonin e Moskës. Sipas Zelenskyt, objekti, i cili ndodhet mbi 1,300 kilometra larg kufirit me Ukrainën, përdoret nga ushtria ruse për zbulim dhe koordinimin e operacioneve ushtarake në Ukrainë.

Edhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës konfirmoi se qendra ishte shënjestruar më herët gjatë javës. Nga ana tjetër, Kremlini nuk ka konfirmuar sulmin ndaj qendrës së komunikimit. Guvernatori Vorobyov tha vetëm se një dron goditi një ndërtesë administrative në qytetin Dubna, pa raportuar viktima.

Ndërsa kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, bëri të ditur se sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan 419 dronë gjatë natës së kaluar. Edhe në Ukrainë luftimet vijojnë me intensitet. Sipas autoriteteve lokale, të paktën dy persona u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën pas sulmeve ajrore ruse në qytetin Zaporizhia. Guvernatori rajonal Ivan Fedorov tha se forcat ruse goditën qytetin me shtatë bomba të drejtuara brenda rreth 90 minutash, duke shkaktuar viktima dhe dëme të shumta materiale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: