Një person ka humbur jetën dhe shtatë të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një sulmi me thika në një ndërtesë ku ndodhet një supermarket në Incheon, në perëndim të Seulit, në Korenë e Jugut, të martën.
Sipas raportimeve të mediave koreano-jugore, autori i dyshuar, i cili besohet të jetë rreth të 60-ave, sulmoi personat që ndodheshin në ndërtesë me thika të lidhura në të dyja duart. Sulmi nisi nga bodrumi dhe vijoi deri në katin e dytë, ku ndodhet supermarketi Homeplus. I dyshuari u neutralizua nga klientët që ndodheshin në vendngjarje dhe më pas u arrestua nga efektivët e policisë, të cilët mbërritën pas njoftimit për incidentin.
Sipas raportimeve, një burrë pësoi arrest kardiak pasi pa thikat dhe ndërroi jetë. Ndërkohë, shtatë persona të tjerë të plagosur u transportuan në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Rrethanat dhe motivet e sulmit nuk janë bërë ende të qarta. Policia po vijon hetimet për të zbardhur ngjarjen dhe për të përcaktuar shkaqet që e çuan të dyshuarin drejt këtij akti.
