Forcat ruse nisën një valë të re sulmesh me dronë gjatë natës në disa rajone të Ukrainës, duke plagosur civilë, duke shkaktuar zjarre dhe dëme të mëdha në ndërtesa banimi. Sulmet prekën Çernigovin, Okhtyrkën, rajonin e Kievit dhe Dnipropetrovsk, raporton Kyiv Post. Një dron rus u rrëzua pranë një pallati apartamentesh në orët e para të mëngjesit, duke shkaktuar shpërthime që thyen dritaret dhe ndezën zjarr. Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës (DSNS), tre persona u plagosën, një prej të cilëve u shtrua në spital. Dëmtimet prekën edhe një tubacion gazi, i cili u mbyll nga ekipet e shpëtimit. Për banorët u ofrua ndihmë psikologjike.

Rusia goditi një pallat nëntëkatësh me dronë, duke shkaktuar zjarr mes katit të dytë dhe të pestë. 35 banorë u evakuuan, ndërsa shtatë të tjerë, përfshirë një fëmijë, u shpëtuan nga apartamentet e dëmtuara. Për shkak të mundësisë së sulmeve të tjera, operacionet e shpëtimit u ndërprenë përkohësisht, por zjarret u shuan plotësisht. Për të tretën natë radhazi, trupat ruse kryen sulme në këtë rajon. Shpërthime u raportuan në qytetin Fastiv, ku dëmtimi i infrastrukturës hekurudhore detyroi devijimin e linjave të trenave.

DSNS konfirmoi se një person u vra dhe pesë të tjerë u plagosën, përfshirë dy fëmijë. Në Dnipro, një ndërtesë administrative u përfshi nga flakët dhe tre pallate banimi u dëmtuan. Në distriktin Krivyi Rih u vra një burrë 51-vjeçar, ndërsa u dëmtuan një fermë, një shtëpi dhe një tubacion gazi. Sakaq, në Pavlohrad u plagosën katër persona, përfshirë një djalë 14-vjeçar, disa shtëpi u dogjën dhe u shkatërruan. Në Nikopol u plagos një vajzë 13-vjeçare; dy ndërtesa pesëkatëshe dhe një shkollë arti pësuan dëme. Ekipet e shpëtimit konfirmuan se të gjitha zjarret e shkaktuara nga sulmet e natës janë vënë nën kontroll. Tensionet dhe rreziku i sulmeve të reja mbeten të larta në të gjithë vendin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: