Sulmet izraelite kanë vrarë të paktën gjashtë persona dhe kanë plagosur 14 në Rripin e Gazës në shkeljen e fundit të marrëveshjes së armëpushimit, thanë autoritetet shëndetësore në enklavën palestineze.

Autoritetet shëndetësore nuk e zbuluan vendndodhjen e sulmeve. Mediat palestineze raportuan një sulm me dron në korridorin Netzarim në qendër të Gazës të martën.

Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve, WAFA raportoi bombardimet izraelite në qytetin e Gazës, sulmet ajrore që synonin civilët në Khan Younis në Rripin jugor të Gazës dhe një sulm izraelit në qytetin Al-Shawka, në lindje të qytetit Rafah.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha në një deklaratë se një sulm me dron u krye kundër militantëve palestinezë në Gaza qendrore të martën pasi identifikoi “disa militantë të përfshirë në aktivitete të dyshimta që paraqesin një kërcënim për trupat IDF (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit).

Sulmet janë të fundit në një seri sulmesh pothuajse të përditshme izraelite në të gjithë enklavën palestineze, pas skadimit të fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit më 1 mars.

Negociatat për fazën tjetër, që synon sigurimin e një armëpushimi të përhershëm, janë duke u zhvilluar në Doha. Të hënën, një delegacion izraelit vizitoi Dohën për të diskutuar fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit.

 

(A.A/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb