Në mes të tensioneve në rritje mes Izraelit dhe Iranit, Papa Leo XIV ka bërë një thirrje të fortë për paqe dhe maturi, duke shprehur shqetësim të thellë për përkeqësimin e situatës në Lindjen e Mesme.

Gjatë një apeli në përfundim të audiencës së Jubileut, Ati i Shenjtë theksoi nevojën urgjente për dialog dhe përgjegjësi ndërkombëtare.

“Askush të mos kërcënojë kurrë ekzistencën e një tjetri. Mbështetni kauzën e paqes”, u shpreh Papa Leo XIV para besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit.

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në rajon, Papa shtoi:

“Këto ditë po vijnë lajme që shkaktojnë shumë shqetësim. Situata në Iran dhe Izrael është përkeqësuar seriozisht. Në një moment kaq delikat, dëshiroj të përsëris një thirrje për përgjegjësi dhe arsye”

Në apelin e tij, Papa Leo XIV theksoi rëndësinë e largimit nga kërcënimet bërthamore dhe ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme.

“Angazhimi për të ndërtuar një botë më të sigurt, të lirë nga kërcënimi bërthamor, duhet të ndiqet përmes një takimi respektues dhe dialogu të sinqertë, për të ndërtuar një paqe të bazuar në drejtësi, vëllazëri dhe të mirën e përbashkët.”

Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos qëndrojë indiferent:

“Është detyrë e të gjitha vendeve të mbështesin kauzën e paqes, të nisin rrugë pajtimi dhe të promovojnë zgjidhje që garantojnë siguri dhe dinjitet për të gjithë!”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb