Bullgaria po kërkon sqarime për sulmet me dronë ndaj anijeve në Detin e Zi, ndërsa dyshimet për përfshirjen e Rusisë po shprehen gjithnjë e më hapur nga autoritetet në Sofje. Ambasadorja ruse në Bullgari, Eleonora Mitrofanova, është thirrur për bisedime, pas incidenteve që kanë vënë në alarm autoritetet bullgare.
Sipas raportimeve, deri më tani janë goditur tre anije në Detin e Zi. Megjithatë, Sofja nuk ka bërë publike prova bindëse që të vërtetojnë se sulmet janë kryer nga Rusia, ndërsa hetimet për ngjarjet vijojnë.
Kryeministri bullgar Rumen Radev ka deklaruar se do të diskutojë situatën edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Bullgaria po kërkon gjithashtu mbështetje për hetimin e sulmeve dhe për sqarimin e përgjegjësisë për incidentet.
Në incidentet e fundit, njëra prej anijeve të goditura, Chelsea 3, e cila lundronte me flamur maltez, u godit nga tre dronë. Të 15 anëtarët e ekuipazhit, shtatë ukrainas dhe tetë shtetas azerbajxhanas, u evakuuan, ndërsa pesë prej tyre morën ndihmë mjekësore për plagë të lehta. Anija tjetër, Azov Concord, u fundos dhe operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, pasi 11 anëtarë të ekuipazhit rezultonin të zhdukur sipas raportimeve të fundit.
Sulmet e reja vijnë një javë pas incidenteve të tjera ndaj anijeve tregtare në zonën ekskluzive ekonomike të Bullgarisë në Detin e Zi. Sofja ka kërkuar ndihmë nga Bashkimi Europian dhe NATO për të përcaktuar origjinën e dronëve, përfshirë analizimin e të dhënave satelitore dhe provave fizike.
Kryeministri Radev ka theksuar se aktualisht nuk ka prova të qarta dhe përfundimtare për t’ia atribuar përgjegjësinë ndonjërës prej palëve. Rusia nuk kishte reaguar menjëherë ndaj incidenteve të fundit, ndërsa Ukraina dhe Bashkimi Europian i kanë dënuar sulmet.
