Deputeti i PS dhe ish-oficeri i Forcave Speciale Denis Deliu, i ftuar në studion e “Open” në News24 ka komentuar zhvillimet në konfliktin e armatosur në Lindjen e Mesme, ku së fundmi Izraeli është bërë sërish përgjegjës për vdekjen e civilëve.

Ai u shpreh se ndërhyrjet ushtarake të Izraelit janë legjitimuar nga Shtetet e Bashkuara duke marrë në konsideratë agresionin nga militantët e Hamasit tetorin e vitit të kaluar.

Ai shpjegoi se ushtritë trajnohen që të luftojnë duke zbatuar konventat ndërkombëtare, të cilat sipas tij nuk janë zbatuar në disa momente nga Izraeli.

Duke u ndalur te një prej sulmeve të fundit që rezultoi me vdekjen e disa civilëve në Rafah, ai u shpreh se inteligjenca izraelite kishte lokalizuar dy liderë të Hamasit, por armatimi izraelit ka qenë i një dendësie më të madhe se objektivi që duhet të godisnin duke sjellë dëmtimin e civilëve.

“Edhe nga deklaratat e SHBA legjitimohet ndërhyrja ushtarake e Izraelit sepse jemi të gjithë dëshmitarë të sulmit të Hamasit. Legjitimohet sulm ndaj Hamasit, por jo ndaj civilëve. Njerëzit në ushtri trajnohen që të luftojnë duke zbatuar konventat. Në disa raste Izraeli nuk i ka zbatuar, por nuk përjashtohen as gabimet. Dizinformimi në fushëbetejë është një problem i madh për civilët, ashtu edhe për ushtrinë. Inteligjenca izraelite ka pasur informacion se dy liderë të Hamasit kanë përgatitur sulme ndaj tyre dhe në këtë moment ushtria ka goditur. Aty afër ka qenë edhe kampi i refugjatëve dhe si duket armatimi i ushtrisë izraelite ka qenë i një dendësie më të madhe se objektivi që duhet të godisnin”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb