Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar sot për dhunën e ushtruar ndaj përfaqësuesve të mediave në Leposaviç.

Në një postim në rrjetet sociale ai ka deklaruar se grupe ekstremistësh të kontrolluara nga Beogradi nuk e durojnë dot as policinë e as gazetarët.

Ai ka ftuar institucionet dhe diplomatët ndërkombëtarë të mbajnë një qëndrim mbi ngjarjen.

Postimi i plotë:
Grupe ekstremistësh të kontrolluara nga Beogradi nuk e durojnë dot as policinë e as gazetarët. Policia e Kosovës i shërben drejtësisë dhe ligjit, gazetaria e Kosovës i shërben demokracisë dhe transparencës.
Sot në Komunën e Leposaviqit nga bandat kriminale janë sulmuar gazetarët që ishin të pranishëm gjatë përpjekjeve të disa individëve për të shkaktuar trazira e dhunë.
Kameramani Bardh Bekteshi dhe gazetarja Dorentina Thaqi, kanë pësuar lëndime në kokë dhe trup. Kameramanët tjerë, Albin Rrahmani dhe Ardijan Shala kanë pësuar lëndime në trup. Në këmbë janë lënduar gazetaret, Laura Kerolli e Qendresa Sinani, kurse në krah ka marrë lëndime gazetari Pleurat Salihu.
Urojmë shërim të shpejtë për kameramanët dhe gazetarët. Ftojmë institucionet dhe diplomatët ndërkombëtarë të mbajnë qëndrim, dhe të mbështesin institucionet e Kosovës që të sjellin para drejtësisë të gjithë sulmuesit e Policisë së Kosovës, KFOR-it e sidomos gazetarëve.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb