Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, bëri thirrje për “përmbajtje” dhe ”respekt për të drejtën ndërkombëtare në Venezuelë”, pas njoftimit të presidentit të SHBA-së Donald Trump për “kapjen” e homologut të tij venezuelian, Nicolas Maduro.

Në rrjetin X, Kallas deklaroi se kishte folur në telefon me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, të cilit i përsëriti se ”BE-ja kundërshton legjitimitetin demokratik të Nicolas Maduros”.

Megjithatë, “në të gjitha rrethanat, parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Karta e OKB-së duhet të respektohen. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje”, shkroi ajo.

Presidenti amerikan, Donald Trump konfirmoi sot se SHBA kishte kryer sulme ajrore në territorin venezuelian dhe tha se udhëheqësi venezuelian Nicolas Maduro ishte kapur.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, presidentit Nicolas Maduro, i cili, së bashku me gruan e tij, është kapur dhe është larguar me aeroplan nga vendi”, shkroi ai në llogarinë e tij Truth Social.

“Ky operacion u krye në bashkëpunim me forcat e ligjit të SHBA-së dhe detajet do të pasojnë më vonë gjatë ditës”, shkroi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb