FRANCË- Nga Strasburgu në Siri dhe nga këtu deri në Paris për të përmbushur masakrën në teatrin Bataclan.
Ky ka qenë rrugëtimi i 23-vjeçarit Mohamed Fouad-Aggad, kamikazi i tretë i identifikuar nga hetuesit francezë i sulmeve të 13 nëntorit në Paris. Sipas mediave lokale, i riu xhihadist kishte shkuar në Siri në vitin 2013 duke u bërë i afërt me Fares Mourad, një nga krerët xhihadistë në Francë që rekrutonte persona, sipas raportimit të Le Monde.
Sipas Le Parisien, vëllai i madh i Mohamed Fouad-Aggad, Karim, është aktualisht i burgosur pas kthimit nga Siria.
I riu, shkruan Le Parisien, bënte pjesë në një grup prej 10 personash që në 2013 lanë lagjen “Meinau” në Strasburg për të shkuar në Siri. Dy prej tyre vëllezër kanë vdekur në luftime, ndërsa 7 të tjerët janë kthyer në vitin 2014 dhe janë ndaluar.
I fundit, Mohamed Fouad-Aggad, ka qëndruar në Siri para se të kthehej në Europë për të marrë pjesë në atentatet e Parisit, duke shpërthyer në Bataclan.
Nëna e tij e kontaktonte rregullisht për të marrë lajme prej tij dhe madje i ka dërguar edhe paratë për të lënë Sirinë.
Puna e policisë shkencore franceze për të identifikuar kamikazin e tretë të sallës së koncerteve nuk ishte e lehtë për shkak të gjendjes si kishte përfunduar trupi i tij pas shpërthimit.
(m.k/BalkanWeb)
