Tre civilë janë vrarë dhe 11 të tjerë janë plagosur nga bombardimet e reja ruse në katër rajone ukrainase, njoftuan autoritetet të premten. Në rajonin e Harkivit u vra një person, ndërsa një tjetër u plagos në Kupiansk, tha Oleh Sinehubov, guvernatori i këtij rajoni. Sinehubov tha se 21 vendbanime në këtë rajon u sulmuan nga Rusia.

Guvernatori i Dnipropetrovskit, Serhiy Lysak, tha se dy njerëz u vranë në Nikopol dhe tetë të tjerë u plagosën. Në Donjeck, një person u plagos, tha kryetari rajonal Vadym Filashkin. Oleksandr Prokudin, guvernatori i Hersonit, tha se një person u plagos në këtë rajon. Më herët të premten, zyrtarët ukrainas thanë se ushtria ukrainase i shkatërroi të gjithë 10 dronët me të cilët Rusia e sulmoi gjatë natës. Forcat Ajrore të Ukrainës thanë në një komunikatë në Telegram se Rusia i shkrepi edhe dy raketa kundërajrore.

Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Illya Yevlash, tha se Rusia me gjasë i përdori këto raketa për ta sulmuar qytetin verilindor të Ukrainës, Harkiv. Sinehubov tha se tre shtëpi banimi u dogjën dhe dhjetëra të tjera u dëmtuan si pasojë e sulmeve ruse gjatë natës në rajonin e Harkivit. Ai shtoi se cak i sulmeve ishin infrastruktura dhe zonat e banimit.

Në fotografitë që Sinehubov i postoi në Telegram mund të shihen shtëpi banimi të përfshira nga zjarri. Pavarësisht provave dhe dëshmive, Moska e mohon se në shënjestër të sulmeve të saj janë objektivat civile. Rusia e ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Perëndimi është përgjigjur duke ndërmarrë një varg sanksionesh kundër saj, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: