Avokati Saimir Visha, kreu i shoqatës së avokatëve penalistë, i ftuar në rubrikën “Çështja e Ditës” në News24 tha se krimi ka marrë një revansh ndaj organeve të drejtësisë.

Duke komentuar dhunën barbare ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, Visha tha se kjo ngjarje është në vijim të atyre ngjarjeve të mëparshme ku një gjyqtari në Shkodër i vihet bombë në derën e shtëpisë, një tjetër avokat kërcënohet dhe vjen kjo ngjarja e djeshme.

Duke i cilësuar autorët e sulmit ndaj avokatit Sokol Mëngjesi si kanibalë, Visha tha se ata s’mund të dënohen për plagosje të lehtë, apo sikur ka ndodhur diçka e zakonshme.

Visha tha se forcat politike nuk duhet të ngjyrosin këtë ngjarje.

“Dhuna ndaj avokatit Mëngjesi nuk ka lidhje fare me ish-Kryeministrin, por me detyrën e avokatit. Kjo çështje nuk erdhi rastësisht dje, por duhej të ishte zgjidhur më përpara që të mos vinim në këtë gjendje ku ndodhet sot profesor Mëngjesi”, tha Visha.

Ai tha se prekja e çdo punonjësi të sistemit të drejtësisë duhet të ketë një ndëshkim më të rëndë penal.

“Në rastin konkret kemi një tentativë vrasje, dhe një tentativë vrasje me paramendim, dënohet jo më pak se 20 vjet burgim. Jo më kot është përcaktuar vendi, jo më kot u organizuan këta persona, jo më kot ai u godit në kokë, pra nuk kemi plagosje të lehtë, por kemi një tentativë vrasje me paramendim”, tha Visha.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb