Asociacioni i Gazetarëve Shqiptarë (AGSH) ka reaguar me forcë ndaj një fushate të re dezinformimi në rrjetet sociale, duke denoncuar publikisht hapjen e një faqeje false që pretendohet se përfaqëson qëndrimet e tyre lidhur me sulmin e paprecedent ndaj News24.
Në një deklaratë zyrtare të shpërndarë nga Bordi i AGSH-së, theksohet se profili në fjalë është i rremë dhe ka për qëllim diskreditimin e qëndrimit të organizatës në mbrojtje të gazetarëve të News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare, të prekur nga sjelljet arbitrare të institucioneve shtetërore.
AGSH bën të ditur se do të ndjekë rrugën ligjore për të ndëshkuar këtë akt, duke siguruar se drejtuesit dhe përfaqësuesit e saj gëzojnë mbështetjen e plotë të anëtarësisë
Postimi i plotë:
SQARIM I DETYRUESHËM
Pozicionimi i AGSH në mbrojtje të interesave të gazetarëve të News 24 dhe mediat e tjera të grupit që po përballen me sjellje arbitrare shtetërore, po shoqërohet me një sulm banal në rrjetet sociale kundër Asociacionit.
Bordi i AGSH deklaron se ky është një profil fals, dhe se asnjë pjesë e anëtarësisë sot nuk ka pasur kundërshtime për qasjen e drejtuesve të AGSH.
Bordi hedh poshtë këto shpifje që synojnë të dekurajojnë përkrahjen tonë të drejtë në mbrojtje të kolegëve.
Veprimet e përfaqësuesve tanë gëzojnë mbështetjen e plotë të Bordit si dhe nuk kemi pasur asnjë mëdyshje nga anëtarët tanë.
Faqja false e hapur do të trajtohet ligjërisht.
Me respekt, anëtarët e Bordit
Isa Myzyraj
Esiona Konomi
Klesiana Omeri
Fjori Sinorukaj
Juxhin Mustafaraj
Osman Stafa
Renaldo Salianji
