Kryeministri Edi Rama, ka reaguar në platformën X pas sulmeve të fundit të SHBA dhe Izraelit ndaj Iranit, duke kërkuar që Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) të shpallet zyrtarisht organizatë terroriste.

Rama u shpreh se “është koha për të prerë litarin dhe për të shkuar drejt e në thelb”, duke theksuar se Trupat e Gardës Revolucionare Islamike janë një organizatë terroriste dhe duhet të trajtohen si të tilla, jo vetëm përmes sanksioneve ndaj Republikës Khomeiniste, por duke u renditur zyrtarisht në listën e organizatave terroriste, ashtu siç kanë vepruar tashmë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se ky qëndrim nuk lidhet vetëm me mbështetjen e Shqipërisë ndaj Izraelit dhe vendeve arabe që kërkojnë paqe, apo me mbështetjen ndaj Shteteve të Bashkuara nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump. Ai përmendi gjithashtu deklaratat e fundit të Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila ka nënvizuar natyrën vrastare të regjimit të Teheranit.

Reagimi

Është koha për të prerë litarin dhe për të shkuar drejt e në thelb. Garda Revolucionare Islamike është një organizatë terroriste dhe duhet të trajtohet si e tillë. Jo vetëm përmes sanksioneve ndaj Republikës Khomeiniste, por duke e quajtur zyrtarisht me emrin e saj të vërtetë dhe duke e renditur në listën e organizatave terroriste, ashtu siç kanë bërë tashmë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.

Jo vetëm sepse qëndrojmë të palëkundur me Izraelin dhe me vendet vëllazërore arabe që kërkojnë paqe.
Jo vetëm sepse mbështesim Shtetet e Bashkuara në mbështetjen ushtarake që i japin sot Izraelit nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump.
Jo vetëm sepse Bashkimi Europian, përmes Presidentes Ursula von der Leyen, ka nënvizuar edhe një herë sot natyrën vrastare të regjimit të Teheranit.

Por mbi të gjitha, në një ditë si kjo, kur kërkohen veprime dhe jo vetëm fjalë, për të nderuar viktimat e pafundme të pafajshme të Gardës Revolucionare Islamike gjakatare.

Shqipëria është përballur drejtpërdrejt me fytyrën barbare të regjimit të Teheranit përmes agresioneve kibernetike ndaj vendit tonë. Për ne, kjo nuk është gjeopolitikë abstrakte. Është siguri kombëtare, qartësi morale dhe ligjore.

Shqipëria do të veprojë në përputhje me këtë. Ne do ta quajmë Gardën Revolucionare atë që është dhe do ta rendisim në listën e organizatave terroriste, dhe u bëjmë thirrje miqve tanë europianë të bëjnë të njëjtën gjë.

Ne mbështesim plotësisht çdo përpjekje vendimtare për të parandaluar njëherë e përgjithmonë që vrasësit në Teheran të sigurojnë kapacitete bërthamore apo çfarëdo kapaciteti tjetër ushtarak për të dëmtuar Izraelin apo çdo komb tjetër paqedashës në Lindjen e Mesme.

Terrorizmi duhet të emërtohet. Dhe pasi të emërtohet, duhet të ndalet.

Screenshot 90
Screenshot 90

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb