E nisi si sulmi më i mirë i edicionit 2024-25 në Superiore dhe e mbylli si i tillë pas 36 javësh. Fjala është për vijën ofensive të Vllaznisë, me shkodranët që u konfirmuan nga raundi në raund si ekipi me sulmin më të mirë.

Këtë e vërtetojnë golat e shënuar nga skuadra e drejtuar nga Thomas Brdariç. Kështu, 9 herë kampionët e vendit shënuan 54 gola në 36 javë të zhvilluara, duke bërë më mirë se kushdo tjetër në këtë aspekt në Superioren e këtij sezoni.

Pas kuqebluve, si skuadrat që kanë shënuar më shumë janë Dinamo me 49 gola në favor dhe Egnatia me 47 gola. E ndërsa sulmin më të dobët e kanë pasur Teuta me 29 gola të shënuar, Laçi me 31 rrjeta në favor dhe Bylis po ashtu me 33 gola të shënuar.

Elementë që spikatën te Vllaznia me golat e tyre këtë sezon, ishin Bekim Balaj me 17 gola të shënuar, me kapitenin që për të dytin vit radhazi shpreson të rrëmbejë “Këpucën e Artë”. E ndërsa një sezon të shkëlqyer ka zhvilluar edhe Mala me 7 gola të shënuar, Dodaj me 6 të tillë e po ashtu edhe Gruda që, pavarësisht se ndoshta nuk ka pasur minutazhin e duhur, ka shënuar 4 herë në këtë edicion 2024-25.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb