Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO) ka pezulluar planin për evakuimin e më shumë se 11 mijë marinarëve të bllokuar në Gjirin Persik, pasi një anije mallrash u sulmua gjatë kalimit në Ngushticën e Hormuzit.

Sekretari i Përgjithshëm i IMO-së, Arsenio Dominguez, deklaroi se vendimi u mor për të garantuar sigurinë e ekuipazheve, duke theksuar se operacioni do të mbetet i pezulluar derisa të ketë sqarime dhe garanci të reja sigurie.

Sipas Agjencisë Britanike të Operacioneve Tregtare Detare anija u godit nga një predhë e paidentifikuar rreth 7.5 milje detare në juglindje të portit Dahit në Oman. Nuk u raportuan viktima, ndërsa anija vazhdoi lundrimin.

Sulmi ndodhi pasi Garda Revolucionare Islamike e Iranit kishte paralajmëruar se anijet që përdorin rrugë të pacaktuara nga autoritetet iraniane do të konsiderohen në rrezik dhe duhet të koordinojnë kalimin me Teheranin. Zyrtarë amerikanë, sipas mediave amerikane, kanë deklaruar se anija u qëllua nga forcat iraniane.

Anija me flamur të Singaporit, “Ever Lovely”, po udhëhiqte një flotë prej pesë anijesh dhe po ndiqte një korridor jugor të rekomanduar nga IMO.

Dominguez sqaroi se anija e sulmuar nuk ishte pjesë e planit të evakuimit të koordinuar nga IMO, por nënvizoi se siguria e detarëve mbetet prioriteti kryesor.

Qindra anije dhe mijëra marinarë kanë mbetur të bllokuar në rajon që nga fundi i shkurtit për shkak të konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Plani i evakuimit ishte njoftuar vetëm pak ditë më parë, pas rihapjes së pjesshme të Ngushticës së Hormuzit, me bashkëpunimin e Iranit, Omanit, SHBA-së dhe vendeve të tjera të rajonit.

Ndërkohë, Irani ka paralajmëruar se anijet që nuk respektojnë rrugët e autorizuara nuk do të kenë garanci për kalim të sigurt, ndërsa vazhdon përplasja diplomatike me SHBA-në lidhur me tarifat që Teherani synon të vendosë për kalimin në këtë rrugë strategjike detare.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga korridoret më të rëndësishme në botë për transportin e naftës dhe gazit, ndërsa tensionet e fundit kanë ndikuar drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: