Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një dalje nga SPAK për mediat u pyet për sulmin me molotov ndaj Vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha gjatë protestës së të shtunës që mbajti opozita.
Kryedemokrati tha se janë përdorur mjete prioteknike, ndërsa kërkoi ndjesë. Ai shtoi se askush nuk ishte në dijeni që aty kishte njerëz.
“Po janë përdor mjete piroteknike që ju i quani bomba molotov, por askush nuk është plagosur prej tyre. Ishin dy zonja. Nuk duhej të ndodhte kurrë kurrsesi. Unë e mora vesh se pasi pyeta. Më thanë se ishte bërë qendër kulturore. Ajo mund të ishte muze e torturave çnjerëzore. Por qendër kulture vila e Enver Hoxhës, është fyerje për mbi 7 mijë të ekzekutuar barbarisht për vlerat themelore të njeriut për 40 mijë të internuar dhe 140 mijë të persekutuar. Vetëm mendja e sëmurë e Ramës mund ta bënte atë qendër kulturore.”, tha ai.
Më herët ai pohoi se; “Nuk do ta keqpërdor këtë tribunë këtu për të dhënë përgjigje. Këtu jap përgjigje për Altin Troplinin dhe Irenën e me 5 mbiemra. Ët tjerat ju garantoj se do i përgjigjem në seli. Këtu do ta ruaj këtë profil, pasi kjo që ndodh është e pakonceptueshme.”.
