Avokati Genc Gjokutaj, në një reagim në rrjetet sociale, e konsideroi bastisjen dhe ndërprerjen e transmetimit të News 24 si një akt të qartë politik nga një regjim autokratik, që synon të godasë lirinë e shprehjes dhe pavarësinë e medias. Ai theksoi se ky veprim është pjesë e një strategjie të organizuar për të heshtur çdo zë kritik ndaj pushtetit, një tendencë që është intensifikuar pas përfundimit të zgjedhjeve.
Gjokutaj e krahasoi ndërhyrjen e dhunshme të forcave të rendit në ambientet e televizionit me praktikat e regjimeve diktatoriale, duke paralajmëruar se ndryshimet e paralajmëruara në Kodin Penal do t’i japin një bazë ligjore këtyre shkeljeve të rënda.
Sipas tij, liria e fjalës nuk mund të shtypet dhe këto akte përfaqësojnë një hap mbrapa për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit europian.
Postimi i avokatit të njohur Genc Gjokutaj:
Sulmi, bastisja dhe ndërprerja e transmetimit te News 24 pjese e Media Focus Group me e madhja dhe e para në Shqipëri është një sulm i pastër politik i një Autokracie ndaj Fjalës së Lirë, Medias dhe të Vërtetës!
Ky sulm është pjesë e një programi të qartë për mbylljen e çdo zëri ndryshe dhe kundër Qeverisë i cili është përshkallëzuar ashpër pas Zgjedhjeve të këtij viti!
Këto veprime arbitrare dhe kriminale do të pasohen Kodi i Ri Penal që do ti ligjërojë!
Kjo dhunë ndaj News 24 nuk ka lidhje me marrëdhenie biznesi apo kontraktuale sepse kjo media është e ligjshme dhe me status juridik prej vitesh ne ato ambiente!
Hyrja e Policise me forcë në ambientet e News 24 ne orën 6.30 të mengjesit, ditë e shtunë pushimi të muajit gusht një muaj pushimi edhe per Gjykatat është tipike dhe e ngjashme si në formë edhe në përmbajtje me veprimet e Komisionit te Internim – Dëbimit ne kohën e Diktaturës!
Por Fjala e Lirë as zhytet dhe as mbytet pasi nuk është godinë që të uzurpohet forcërisht!
Ngjarja e sotme kriminale si edhe ato paraardhëse ashtu edhe ato që do të vijojnë janë veprime që e rreshtojnë Shqipërinë diku larg Europës të cilën Regjimi e premton si dhuratë të saj për shqiptarët!
