Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për ngjarjen e paprecedentë të uzurpimit të godinës së News24 dhe heqjes së sinjalit të transmetimit.

Gjatë një interviste në “Opinion” me gazetarin Blendi Fevziu mbrëmjen e së enjtes, Rama e cilësoi kompaninë ushtarake “KAYO”, si rilindja ushtarake.

Rama tha se kjo kompani do të prodhojë dronë “Made in Albania”.

Pas ndërhyrjes së gazetarit Fevziu se nuk mund të rrëmbehen kompjuterat e gazetarëve të News24 nga policia ushtarake, Rama u justifikua duke thënë se godinat duhen për prodhimin e dronëve.

Pjesë nga intervista

Blendi Fevziu: Do të prodhohen këtu dronët?

Rama: Ne, në samitin e NATO-s, do ta mbrojmë territorin e Tiranës me dronët e prodhimit shqiptar.

Blendi Fevziu: Ne?

Rama: Dronët do të prodhohen këtu, do prodhohen shumë gjëra, por kur ndodh dicka që ka të bëjë me një godinë dhe kthehet në histori për lirinë e fjalës, askush nuk thotë por çfarë ju duhen këto godina, po kjo godina tjetër/

Blendi Fevziu: Flet për historinë e News24? Po nuk mund të grabitësh kompjuterat e gazetarëve

Rama: Po lëre se nuk është grabitur asgjë. Por kjo KAYO ca është? Kjo është faza e rilindjes së industrisë tonë ushtarake dhe po të them që ne do të prodhojmë dronë që do të mbrojnë hapësirën shqiptare në 2027, në Samitin e NATO-s.

Ne do të eksportojmë dron made in Albania me shqiponjë dhe flamuj të kuq.

Do i bëjmë me partnerë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb