Avokati Marash Logu është shfaqur sërish para ambienteve të News24 për të komentuar situatën e jashtëzakonshme të bllokadës që Policia e Shtetit ka vendosur ndaj godinës ku operojnë televizioni News24 dhe mediat e lidhura si Panorama, Gazeta Shqiptare dhe BalkanWeb.

Ai ka kritikuar ashpër veprimet e forcave të rendit, duke i konsideruar ato si një shkelje të rëndë të të drejtave kushtetuese dhe një kërcënim për lirinë e medias në Shqipëri.

Logu theksoi se ky rast prek drejtpërdrejt interesin publik, pasi janë në lojë dy të drejta themelore që Kushtetuta garanton për çdo qytetar: e para, e drejta për lirinë e shprehjes dhe e dyta, e drejta për qytetarët që të marrin informacion të pakufizuar dhe të pa censuruar. Ai u shpreh se ndërhyrja e djeshme, gjatë së cilës u sekuestruan materiale dhe pajisje të gazetarëve brenda ambientit të News24, është një veprim i paligjshëm, i pakuptimtë dhe i paarsyeshëm.

Avokati shtoi se deri tani nuk ka asnjë provë që të justifikojë se këto veprime janë pjesë e ndonjë hetimi mbi një vepër penale, dhe për këtë arsye, ndërhyrja nuk mund të konsiderohet legjitime.

Ai bëri thirrje për një reagim të menjëhershëm dhe konkret nga ana e Prokurorisë, duke theksuar se në vendngjarje është konsumuar një shkelje flagrante ligjore që nuk është adresuar në kohë nga institucionet përkatëse.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb