Gazetari Bledian Koka, i ftuar në News24, ka reaguar për sulmin ndaj televizionit dhe pasojat e kësaj ngjarjeje, duke e lidhur me situatën politike dhe klimën e lirisë së medias në vend.

Sipas Kokës, kryeministri Edi Rama ka qenë pengesa kryesore për integrimin europian të Shqipërisë, duke bllokuar në të kaluarën tre ligje kyçe vetëm për interesa politike.

“Negociatat duhej të nisnin që në vitin 2011, por Rama i bllokoi tre ligje të rëndësishme vetëm për të shkarkuar kryetarin e qarkut Fier. Këto veprime, njësoj si ndalimi i punës së News24, janë dëm për të gjithë qytetarët,” u shpreh ai.

Koka theksoi se sulmi ndaj medias nuk është një çështje e zakonshme, por një sinjal i rrezikshëm për gjithë shoqërinë.

“Këtu kemi të bëjmë me një shtet që nuk funksionon me logjikë juridike e ekonomike, por me dëshirat e një personi, kryeministrit. Sulmi ndaj medias nuk mund të pranohet nga askush,” tha ai.

Gazetari vuri në dukje se reagimet e faktorëve ndërkombëtarë, përfshirë atë të Ambasadës së SHBA, tregojnë ndjeshmërinë e lartë për lirinë e shtypit në Shqipëri.

“Ky është lajmi i vetëm i mirë nga sulmi ndaj News24. E vetmja gjë që nuk mund të manipulohet është reagimi ndërkombëtar,” shtoi Koka.

Ai theksoi se çdo media është e lirë të ndjekë linjën e saj editoriale dhe këtë e gjykon publiku, jo qeveria.

“Edhe mediat më të mëdha në botë si FOX News apo CNN kanë linjat e tyre editoriale. Por kurrsesi nuk është detyrë e qeverisë të vendosë mbi to,” u shpreh ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb