Pedagogu dhe analisti Ermal Hasimja ka komentuar sulmin ndaj televizionit News24, duke e cilësuar si një problem të madh bllokimin e aksesit në godinën e medias dhe te materialet e punës, pavarësisht vendimit të gjykatës.
“Nga dy godinat që janë këtu, vetëm mbi njërën ka pretendime nga pala tjetër. Aksesi në këto godina është i ndaluar, ashtu si edhe te materialet e punës dhe të medias, pavarësisht se ka një vendim gjykate. Ky është një problem i madh,” tha Hasimja.
Ai theksoi se shteti duhet të tregojë kujdes në marrëdhënien me median dhe të respektojë ligjin, duke garantuar transparencën në zbatimin e vendimeve gjyqësore. “Ju keni kërkuar të drejtën në gjykatë, dhe është i vetmi institucion që mund ta zgjidhë çështjen nga pikëpamja ligjore. Ka një instancë tjetër që vendos – opinioni publik – edhe pse ai nuk ka peshë ligjore dhe vendos përmes votës,” shtoi Hasimja.
Ai e cilësoi si të rëndësishme që çdo ndërhyrje shtetërore ndaj medias të jetë në përputhje me ligjin dhe standardet e transparencës.
