Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar sërish lidhur me sulmin dhe bllokimin e paprecedentë që i është bërë televizionit informativ News24, ku forcat e ushtrisë dhe policisë ndërhynë duke zaptuar godinën, fikën sinjalin si dhe dëbuan gazetarët nga vendet e tyre të punës.

Salianji shprehet në reagimin e tij në rrjetet sociale, me sulmin ndaj News24 dhe Panorama Group është shkelur Kushtetuta, Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimet e gjykatave, duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Tiranës 48 orë më parë e cila shpalli të paligjshme veprimet e KAYO-s në konfiskimin e sendeve të punës së gazetarëve.

Sipas tij, kjo nuk është më një qeverisje demokratike, por një pushtet personal që ushqehet me frikë dhe që mbijeton vetëm duke shuar liritë dhe të drejtat e të tjerëve.

Reagimi
Me forcën e çizmes së ushtrisë dhe policisë, me zinxhira e mjete të blinduara përballë gazetarëve dhe mbi fjalën e lirë, Edi Rama po shkel Kushtetutën, Konventën Europiane dhe vendimet e gjykatave. Ai nuk po mbyll thjesht një media – po tenton të fikë dritën e çdo zëri të lirë, duke e kthyer vendin në një terr informativ ku çdo institucion është gjunjëzuar përballë urdhrave të tij. Ky nuk është shtet, por skena e një pushteti personal që ushqehet me frikë dhe e mban veten gjallë vetëm duke shuar liritë e të tjerëve!

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb