Gazetari Reldar Dedaj, i ftuar në studion e News24, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit dhe sulmin ndaj medias, duke e cilësuar atë si një goditje të rëndë për demokracinë dhe lirinë e shprehjes në vend.

“Në peizazhin mediatik shqiptar, të mbyllësh një zë mediatik si News24 është ta çosh vendin vite pas. Ne pretendojmë të shkojmë në BE, por me goditjen që i bëhet News24 nuk mund ta lexoj ndryshe, përveçse si skicim i një autokracie në vend,” tha Dedaj.

Ai theksoi se një shtet i civilizuar shihet nga respektimi i të drejtës së fjalës dhe lirisë së mendimit, duke përgëzuar News24 për vijimin e misionit të informimit. “Forca e medias është rezistenca e saj. Historia e medias në Shqipëri është historia e rezistencës,” u shpreh gazetari.

Dedaj ndaloi edhe te rrëmbimi i materialeve personale të gazetarëve, duke e cilësuar atë si një akt të rrezikshëm jo vetëm për karrierën, por edhe për sigurinë e tyre.
“Rrëmbimi i materialeve personale të gazetarëve është thuajse t’u rrëmbesh karrierën, sigurinë dhe të drejtën e punësimit. Siç dihet, në ato dosje që janë marrë ka materiale denoncuese, të cilat përbëjnë edhe rrezik. Jo vetëm u rrëmben karrierën, por i bëjnë gazetarët ushqim për grupet kriminale,” u shpreh ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb