Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar ashpër pas rrethimit të godinës së “News24”, “Panorama”, “Balkanweb” dhe “Gazeta Shqiptare” nga forcat e policisë ditën e sotme.
“Ajo që po ndodh sot është në kufijtë e të pabesueshmes. Sulmi ndaj tyre është grusht në fytyrën e çdo qytetari. Shqipëria po humbet me shpejtësi atë që ka fituar me shumë mundim dekadë pas dekade, duke u ngritur, rrëzuar e ringritur,” u shpreh Gjekmarkaj.
Ai akuzoi qeverinë se po godet me dhunë policore një media të lirë dhe profesionale, duke e quajtur këtë një shkelje flagrante të parimeve demokratike. “Policia në dyert e medias është sfidë ndaj lirisë, heqje dorë nga demokracia si parim, shkelmim i integrimit si ëndërr shekullore. Këto janë metoda fashiste e komuniste,” tha ai.
Gjekmarkaj shtoi se Shqipëria e diktaturës ishte më e hapur për qëllimet e saj shtypëse, ndërsa sot, sipas tij, qeveria e fsheh këtë pas një fasade të liberalizmit të rremë. Ai iu drejtua edhe ambasadorëve të vendeve demokratike të akredituar në Tiranë, duke u kërkuar të mos sillen sikur gjenden në një vend normal anëtar të NATO-s dhe aspirant për në BE.
“Sot po synohet verbëria dhe shurdhëria e shoqërisë shqiptare,” përfundoi ai, duke kujtuar fjalët e At Zef Pllumit: ‘Këtij populli me i shti opangen në gojë nuk bzan’.
