Në cilësinë e kryetares së Komisionit të Medias në Kuvend, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka shprehur shqetësimin për cënimin e të drejtës kushtetuese dhe për lirinë e gazetarëve pas situatës së krijuar te Focus Media Group.

Zhupa u shpreh se prej disa ditësh është bllokuar hyrja e gazetarëve dhe stafit teknik në ambientet e grupit mediatik, ndërkohë që janë sekuestruar pajisjet dhe materialet e punës investigative, duke cenuar në mënyrë flagrante lirinë e shprehjes dhe cilësinë e transmetimit të medias.

Deputetja thekson se, edhe pas vendimit të Gjykatës së Tiranës Nr. Rre. 806, datë 11.08.2025, hyrja në ambientet e Panorama Group vijon të mbetet e bllokuar nga forca policore. Raportimet tregojnë se gazetarët nuk kanë mundësi të hyjnë në ambientet e tyre, duke mbetur pa qasje në materialet me rëndësi publike, çka po pengon ushtrimin e detyrës së tyre dhe po dëmton drejtpërdrejt të drejtën e informimit të qytetarëve.

Zhupa ngre pyetje të forta: “Pse po shkelet vendimi i Gjykatës së Tiranës? Mbi cilën urdhër po veprohet në shkelje të vendimit? Kush pengon gazetarët dhe median në misionin e informimit të publikut?”

  • foto galeri
  • foto galeri

Deputetja thekson se interesi publik është që gazetarët të ushtrojnë detyrën e tyre dhe kërkon zbatimin e menjëhershëm të vendimit të gjykatës, duke lejuar transmetimet e grupit mediatik Focus Media Group.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb