Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka reaguar për sulmin ndaj televizionit News24, duke e cilësuar ndërhyrjen e forcave shtetërore si një veprim të papranueshëm dhe të paarsyeshëm.

“Në momentin e parë kam reaguar si qytetar kur pashë një rrethim të plotë me forca policore dhe mendova se ndodhte një skenë krimi apo që po ndiqej ndonjë kriminel i rrezikshëm. Mënyra si u trajtua çështja nuk kishte asnjë lidhje me ligjin apo moralin,” tha Bozdo.

Ai theksoi se bëhet fjalë për televizionin më të rëndësishëm informativ në vend dhe se kjo goditje prek jo vetëm çështjen e pronës, por edhe gazetarinë dhe të gjithë të punësuarit aty. “Kjo është një goditje e pastër kundër një media që ka qenë e paanshme. Është e qartë se veprimi është i targetuar dhe qëllimi është të shkurajojë punën e saj,” shtoi Bozdo.

Ai paralajmëroi se moszbatimi i vendimeve të gjykatës dhe përparimi i situatës sipas urdhrave të dhëna nga autoritetet, pa respektuar ligjin, nuk ka precedent në historinë e pluralizmit shqiptar. “Ky rast është kambanë e fortë alarmi për përgjumjen shoqërore që ka kapur Shqipërinë,” përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb