Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ftuar në studion e News24, ka reaguar për sulmin ndaj këtij televizioni, duke e cilësuar si një kërcënim të hapur për fjalën e lirë dhe të drejtën e informimit.
“Kjo është një betejë që ka të bëjë me fjalën e lirë dhe uzurpimin e një hapësire që ka lënë edhe shumë gazetarë larg vendit të punës. Kur flasim për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe shohim këto skena, ato na kujtojnë më shumë realitete si Rusia,” tha Tabaku.
Sipas saj, momenti aktual kërkon më shumë mbështetje për median e lirë: “Jemi në një situatë ku informacioni komandohet dhe kemi nevojë për dritare si News24 që japin informacion të pakomanduar. Puna e gazetarit është mision për të qenë një zë i fortë për të gjithë.”
Deputetja theksoi se sulmi nuk është vetëm një akt kundër medias, por lidhet drejtpërdrejt edhe me afera të mëdha korruptive.
“Shqetësimi më i madh që kam ngritur gjatë këtyre ditëve lidhet me një aferë korruptive. KAYO po shërben si një fasadë për një aferë korruptive dhe kjo është shumë më e rëndë sepse po cenohet një media dhe po fshihet një e vërtetë,” përfundoi Tabaku.
(BalkanWeb)
