Këshilltari i PS në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Alfred Muharremi, i ftuar në News24, komentoi situatën e krijuar pas sulmit ndaj medias dhe shprehu keqardhjen për atë që ndodhi me gazetarët.
Muharremi theksoi se pavarësisht mosmarrëveshjeve institucionale, gazetarëve të News24 duhej t’u ishte dhënë më shumë kohë dhe mundësi për të ushtruar punën e tyre.
“Më vjen shumë keq për situatën. Jam pro gazetarëve. Reagimi ndërkombëtar erdhi për shkak se gazetarët nuk u lejuan të ushtrojnë detyrën e tyre. Për mendimin tim, News24 duhej të kishte kohën e nevojshme për të gjetur një ambient tjetër dhe për të transferuar pajisjet,” deklaroi Muharremi.
Ai u shpreh se shoqëria KAYO nuk ka pretendime për godinën e dytë dhe se duhet të jetë gjykata që të gjejë një zgjidhje për këtë problematikë të shkaktuar ndaj medias.
“Në dijeninë time ka një vendim të gjykatës administrative që gazetarët të marrin gjithë sendet e tyre. Shoqëria KAYO nuk ka pretendimet për godinën tjetër, por i takon gjykatës të gjejë mënyrën për zgjidhjen e këtij rasti. Kemi të bëjmë me një godinë publike që ka marrë News24 kundrejt një qiraje”, tha ai.
Ai u shpreh i kënaqur që gjykata vendosi që gazetarët të merrnin sendet personale, ndërsa vuri në dukje rëndësinë e rikthimit të transmetimit të News24 si edhe reagimin ndërkombëtar për pengimin e punës së gazetarëve.
“Reagimi ndërkombëtar vjen për shkakun se gazetarët nuk u lejuan të ushtrojnë detyrën e tyre. Për mendimin tim duhet t’i lejohej kohë News24 që të gjente një ambient tjetër dhe të transferonte pajisjet. Personalisht mua dhe shumë kolegëve të tjerë na ka ardhur mirë që News24 është rikthyer në transmetim. Edhe qeveria nuk ka dashur të ndërpritet sinjali i News24,” shtoi ai.
(BalkanWeb)
