Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Jola Hysaj, ka reaguar lidhur me sulmin ndaj News24 dhe pasojat që ky veprim sjell mbi lirinë e medias dhe demokracinë në vend.

E ftuar në studion e News24, Hysaj tha se ndërhyrja në të dhënat personale të gazetarëve përbën një kërcënim të madh për gazetarinë dhe fjalën e lirë.

“Në momentin që i futesh në të dhënat sensitive dhe personale një gazetari, çdo gazetar ka të dhëna konfidenciale që mund të sjellin lajme bombastike për afera apo ngjarje të tjera. Mohimi i fjalës së lirë është shkelja më e madhe”, theksoi ajo.

Duke folur për qëndrimin e qeverisë ndaj medias, Hysaj tha se ky rast shënon hapa të rrezikshëm drejt censurës.

“Këtu shkojmë drejt një censure të medias, që ka pasur në të shkuarën edhe mospërfilljen e medias dhe deri te mbyllja e një kanali televiziv. News24 ka qenë i ekuilibruar me raportimet dhe të vërtetat e transmetuara”, u shpreh përfaqësuesja e PD.

Sipas saj, liria e medias është kusht i domosdoshëm për demokracinë dhe integrimin europian.

“Mohimi i fjalës së lirë përbën një cenim edhe të demokracisë dhe fjalës së lirë. Shembulli i gazetarëve në këtë rast duhet t’i bëjë të mos heqin dorë nga qëndresa e tyre për dinjitet dhe të drejta. Ne nuk mund të kemi integrim në Evropë pa patur liri”, përfundoi Hysaj.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb