Analisti dhe gazetari i News24, Erl Murati, i ftuar në studion e emisionit “Log.”, ka ndarë përjetimet e tij për pushtimin e paprecedentë të televizionit dhe ndërprerjen e sinjalit, duke e cilësuar këtë akt si një goditje të rëndë për lirinë e medias.
“Momenti i parë ishte një mosbesim. Nuk mendoja se shteti do arrinte deri në ndërprerjen e sinjalit të News24. Kisha menduar presione, gjoba, kërcënime, por nuk e mendoja kurrë që do të mësynin në ambientet tona të punës,” tha Murati.
Ai shpjegoi se ndjesia e tij e parë ishte e ngjashme me atë të vitit 2003, kur News24 u detyrua të zhvendosej nga ambientet e para drejt periferisë së Tiranës. “Kisha të njëjtën ndjesi të keqe si atëherë, kur ishim media e parë që u largua nga unaza e Tiranës. Atëherë ishte një ndjesi negative, edhe tani ishte e njëjta gjë,” shtoi ai.
Murati theksoi se ndërhyrja e forcave të sigurisë kishte një synim të qartë: ndërprerjen e sinjalit të News24. “Besoj se gjithë këto masa sigurie kishin qëllim zbatimin e urdhrit dhe qëllimi përfundimtar ka qenë shkëputja e sinjalit, jo thjesht marrja e godinës që mund të bëhej me përmbarim. Edhe nëse një oficer policie do të vinte, ne nuk do të konfrontoheshim me të. U bë kjo ndërhyrje e ashpër vetëm për të ndërprerë sinjalin e News24,” u shpreh ai.
