Gazetari i BIRN, Vladimir Karaj, ka reaguar për situatën e krijuar ndaj televizionit News24, i cili prej gjashtë ditësh nuk po mund të transmetojë pas ndërhyrjes së Policisë së Shtetit dhe autoriteteve të tjera, që kanë bllokuar sinjalin dhe hyrjen e gazetarëve në godinë.

Në një intervistë për gazetarin e News24, Osman Stafa, Karaj theksoi se pavarësisht një vendimi gjykate që i jep të drejtë stafit të News24 të hyjë në një nga godinat që mundëson transmetimin, policia nuk ka lejuar gazetarët dhe punonjësit e medias të futen brenda.

“Vendimi i Gjykatës së Tiranës e bëri të qartë se veprimet e autoriteteve tejkaluan kompetencat dhe u kryen në dëm të lirisë së medias. Kjo nuk është thjesht një mosmarrëveshje administrative, por një përpjekje për të treguar se kush është në pushtet dhe kush mund të mbyllë apo të zhdukë diçka,” deklaroi Karaj.

Ai e cilësoi absurde pretendimin se prania e News24 pengonte prodhimin e armëve, duke shtuar se Ministria e Ekonomisë, e cila jep me qira pronat, ka një vendim gjykate që e kthen godinën pronarit origjinal, çka nuk justifikon praninë e policisë dhe forcave të ushtrisë.

“Jemi në mes të Tiranës, jo në kufi duke luftuar armikun. Nuk ka asnjë arsye pse të pengohen civilë që bëjnë punën e tyre. Qeveria ka pasur mënyra më civile dhe të denja për të zgjidhur këtë situatë, por zgjedhja e përplasjes ka të vetmin qëllim të tregojë forcën,” tha Karaj.

Sipas tij, tashmë ekziston edhe një vendim gjykate që kërkon respektimin e të drejtës së gazetarëve për të marrë sendet personale dhe për të mbrojtur burimet e informacionit, por autoritetet vazhdojnë të mos lejojnë aksesin, duke shkelur jo vetëm ligjin, por edhe Kushtetutën.

Karaj kritikoi edhe heshtjen e strukturave të larta shtetërore, të cilën e konsideroi një strategji të vjetër të pushtetit ndaj medias. “Sa herë ka diçka të rëndësishme, autoritetet zgjedhin të heshtin, me shpresën se gjithçka do të harrohet pas disa ditësh,” përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb