Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas sulmit ushtarak të kryer nga rebelët Huthi ndaj Arabisë Saudite, i cili shkaktoi viktima në Aeroportin Ndërkombëtar “Mbreti Khalid” në Riad.

Përmes një mesazhi të shpërndarë në rrjetin social X, kreu i ekzekutivit shqiptar konfirmoi mbështetjen e plotë të Shqipërisë për Mbretërinë e Arabisë Saudite, ndërsa shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave dhe u uroi shërim të shpejtë të plagosurve.

“Nuk mund të ketë asnjë justifikim për sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile. Këto akte kërcënojnë paqen rajonale dhe sigurinë e rrugëve jetike të transportit ndërkombëtar,” deklaroi Rama.

Më tej, kryeministri Rama u ndal te përgjegjësit e këtij akti, duke akuzuar drejtpërdrejt pushtetin e Teheranit si mbështetës kryesor të kësaj lëvizjeje ushtarake në rajon.

“Huthët dhe sponsorët e tyre të mirënjohur të terrorit në Teheran duhet të mbajnë përgjegjësi,” theksoi ai, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të flasë me një zë të vetëm e të qartë për ndalimin e menjëhershëm të sulmeve të këtilla destabilizuese.

“Shqipëria dënon me forcën më të madhe sulmet e Huthëve kundër Arabisë Saudite, përfshirë sulmin vdekjeprurës ndaj Aeroportit Ndërkombëtar Mbreti Khalid në Riad. Qëndrojmë vendosmërisht në krah të Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe popullit të saj. U shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve të viktimave dhe u urojmë të gjithë të plagosurve shërim të shpejtë. Nuk mund të ketë asnjë justifikim për sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile. Këto akte kërcënojnë paqen rajonale dhe sigurinë e rrugëve jetike të transportit ndërkombëtar. Huthët dhe sponsorët e tyre të mirënjohur të terrorit në Teheran duhet të mbajnë përgjegjësi. Bashkësia ndërkombëtare duhet të flasë me një zë të vetëm dhe të qartë: këto sulme duhet të ndalen menjëherë” tha Rama.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb