Juventusi po vuan në sulm në gjetjen e golit, ndaj Spalletti po shqyrton mundësinë e aktivizimit me dy sulmues, me Kolo Muanin që kërkon më shumë mbështetje në repartin ofensiv. Francezi kaloi rreth 80 minuta pa lënë gjurmë në ndeshjen kundër Cagliarit, por në fund u shfaq si një tjetër lojtar, duke shënuar gol dhe krijuar disa raste të rrezikshme.
Megjithatë, pasaktësia para portës e pengoi të shfrytëzonte plotësisht mundësitë e krijuara. Aktivizimi së bashku me Woltemade duket se i jep më shumë hapësira Kolo Muanit dhe e ndihmon të shfaqë cilësitë e tij në sulm, edhe pse kjo skemë mund ta bëjë Juventusin më pak të ekuilibruar në fazën mbrojtëse. Me sfidën e Europa League kundër Celta Vigos që po afron, Luciano Spalletti mund të vendosë të luajë me dy sulmues, në kërkim të më shumë rrezikshmërie përpara portës kundërshtare.
Ndërkohë, drejtuesit bardhezinj po mendojnë për një përforcim të ri në merkaton e janarit. Objektivi është një qendërsulmues që garanton gola dhe ka aftësi të mira konkretizuese brenda zonës, për të plotësuar mangësitë e repartit ofensiv. Një model për Juventusin mund të jetë operacioni i Romës për afrimin e Malenit, një lëvizje që dëshmoi se mund të gjenden lojtarë cilësorë edhe mes atyre që kanë pak hapësira në skuadrat e tyre.
Deri në janar, Spallettit i takon të gjejë zgjidhjen e duhur për të shfrytëzuar potencialin e sulmuesve që ka në dispozicion dhe për ta rikthyer Juventusin në rrugën e rezultateve pozitive.
