KOSOVE– Zyra e partisë së Serbëve në Kosovë është sulmuar me armë zjarri mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:00. Persona të paidentifikuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të ndërtesës në të cilën gjendet zyra e kryetarit të Komunës së Leposavicit dhe zyrat e Partisë së Serbëve të Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, lideri i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jabllanovic.

“Mbrëmë, në orën 22 ka pasur sulm të armatosur, me qëllim që edhe të ketë viktima në njerëz. Por, rastësisht dhe falë rrethanave të fatit, ka pasur vetëm te disa dëme të mëdha materiale, për shkak se në hapësirat, të cilat janë bërë shoshë nga të shtënat rafal, kanë qenë të pranishëm 3 persona që kanë punuar aty. Vetëm 20 minuta para sulmit, që ndodhi në orën 22, subjektin politik e kanë lëshuar aktivistët partiak që po përgatiteshin për zgjedhjet parlamentare. Vet fakti që dikush guxon që në qendër të Leposaviqit të shtijë me armë në hapësirën ku ka njerëz, flet që një çmenduri serioze i ka kapur njerëzit e caktuar këtu, në veri të Kosovës”, ka thënë Jabllanovic.

Ai i ka bërë thirrje sistemit të drejtësisë dhe institucioneve të rendit që t’i gjejnë autorët e sulmit, t’i vënë para përgjegjësisë dhe t’i ndëshkojnë sipas ligjit.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb