LIBI- Një anije turke që transportonte mallra është sulmuar me raketa ditën e sotme në brigjet e Libisë. Lajmi është bërë i ditur nga ministria e Jashtme në Ankara, ndërsa raportohet se tre kapitenët e anijes kanë humbur jetën, ndërsa u plagosën disa anëtarë të ekuipazhit të anijes turke.

Nëpërmjet një deklarate, ministria e Jashtme turke ka dënuar “fuqishëm sulmin e neveritshëm”, ndërsa sqaroi se “Anija kishte ngarkesë për në portin e Libisë, dhe ndodhen në ujëra ndërkombëtare kur u sulmua, dy herë nga ajri”.

Në deklaratën e bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë theksohet se në orët e mbrëmjes së djeshme një anije mallrash e emëruar “Tuna-1″ me flamur të ishujve Cook dhe që i përket një kompanie turke, gjatë udhëtimit të nisur nga Spanja për të dorëzuar ngarkesën kartonxhes në portin libian Tobruk, ka qenë pre e goditjeve me artileri topash në ujërat ndërkombëtare afërsisht 13 milje larg Torbukut.

Në deklaratë gjithashtu është theksuar se gjatë largimit të anijes nga rajoni janë ndërmarrë edhe dy sulme ajrore, ku si pasojë kanë humbur jetën tre kapitenët e anijes, të cilët janë qytetarë turq.

Gjithashtu theksohet se si pasojë e sulmeve ka patur edhe të plagosur nga ekuipazhi i anijes si dhe është dëmtuar anija.

“Protestojmë me forcë para autoriteteve libiane për këtë sulm të urryer dhe kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të veprimeve që cënojnë sigurinë e anijes turke dhe të anijeve të tjera turke që do të gjenden në rajon. Ne kemi rezervuar të drejtën për të gjitha llojet e dëmshpërblimeve duke përfshirë edhe dëmet që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare në kontekstin e lartpërmendur të sulmeve ndaj anijes në fjalë”, thuhet në deklaratën e ministrisë së sipërcituar.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe zëdhënësi ushtarak i Libisë, i cili tha se autoritetet libiane paralajmëruan anijen turke mos afrohej në port, por sipas tij, “Anija turke injoroi paralajmërimin”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb