Prestige vazhdon ecurinë me pikë të plota në Sunday League, teksa mbrëmjen e djeshme ka futur në “kasafortë” 3 pikët e radhës, duke mposhtur me rezultatin 3-1 skuadrën Security Oktapus, në sfidën e vlefshme për javën e gjashtë në Grupin B të Tiranës.

Të gjithë golat u shënuan në pjesën e dytë, teksa Lleshi, Vasha e Shaqe ishin protagonistët e golave për Prestige. Ndonëse me mungesa të rëndësishme si Shima në sulm apo Muça në mesfushë, Prestige nuk e ka ndalur aspak ritmin, duke u bazuar në lojën e grupit, që është edhe pika më e fortë e skuadrës.

NDESHJA – Takimi i zhvilluar në kompleksin “Skënder Halili” startoi me luftë të fortë sportive nga të dyja kampet, ndërsa në pjesën e parë skuadrat provojnë të rrezikojnë, kryesisht me anë të goditjeve standarde. Në fundin e pjesës së parë Cara shmang një gol të sigurt, teksa ndal një gjuajtje që për të gjithë u duk sikur do të përfundonte në rrjetë.

Në pjesën e dytë, Prestige ndryshon “marsh” duke e kërkuar më me ngulm golin, i cili do të vinte në të 40-ën. Pas një vertikalizimi të bukur, Lleshi “djeg” portierin, për t’ia hequr topin nga duart në limitet e zonës, duke e dërguar me kokë sferën në rrjetë. Me futjen në lojë të Vashës dhe Hysenbelliut, duket qartë që skuadra funksionon më mirë.

Në minutën e 50-të do të vinte edhe goli i dytë, që mban pikërisht firmën e Vashës. Ky i fundit vertikalizon bukur dhe me një gjuajtje “të ëmbël” në formë parabole e kalon topin mbi portierin, duke i dyfishuar shifrat.

Oktapus provon të reagojë, por portieri Cara tregohet në lartësinë e duhur, duke bërë pritjen e dytë vendimtare në këtë takim. 6 minuta nga fundi i kohës së rregullt, Shaqe realizon edhe golin e tretë, duke finalizuar një aksion të gjatë të Prestige.

Në kohën shtesë Oktapus ngushton në 3-1 me një goditje nga një pozicion ballor në afërsi të zonës, por ky gol mbetet vetëm për vlerë statistikore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb