NGA: ZONJA VJOLLCA
Përbërësit
1 kokërr patate të ëmbël
1 qepë, 2 thelpinj hudhër
1 spec i kuq djegës
5 domate të thata
1 degë selino
50 ml verë e bardhë
750 ml koncentrat perimesh
½ kuti domate
150 gr domate qershi
1 kuti qiqra, pak sheqer
Kripë, piper i zi
1 lgj uthull, 4 lgj vaj ulliri
100 gr spinaq gjethe vogël
Përgatitja
Fillimisht ngrohim furrën në temperaturën 200 gradë Celsius.
Lajmë mirë pataten, e thajmë dhe e shpojmë me thikë disa herë. E lyejmë me pak vaj dhe e vendosim pataten të piqet në furrë për rreth 25-30 minuta. Më pas e lemë të ftohet dhe me ndihmën e një luge marrim tulin e saj, e vendosim në dërrasën e punës dhe presim vrazhdë.
Në një tepsi të lyer me pak vaj vendosim domatet qershi të prera në gjysëm duke i spërkatur me pak kripë dhe rigon dhe i vendosim në furrë për 20 minuta.
Grijmë qepën dhe hudhrën në kubikë të vegjël, specin djegës e presim në unaza së bashku me selinonë. Presim në shirita domatet e thata.
Në një lugë vaj ulliri kaurdisim qepën dhe hudhrën bashkë me specin djegës. Sapo qepa të bëhet transparente shtojmë selinonë dhe domatet e thata. I trazojmë per pak minuta dhe më pas i shuajmë me verën e bardhë dhe lëngun e perimeve. Shtojmë dhe domatet e kutisë, domatet qershi të pjekura dhe pataten e pjekur. Vendosim kapakun dhe i lemë të ziejnë për 15 minuta në temperaturë mesatare. Kalojmë komplet supën në blender duke e holluar përsëri me pak lëng perimesh nëse rezulton shumë e trashë. Shtojmë qiqrat e kulluara dhe e lemë supën të ziejë përsëri për 5 minuta. Shtojmë disa gjysma domate qershi, e rregullojmë supën për shije me kripë, piper, pak sheqer dhe uthull. Në fund shtojmë spinaqin të prerë në shirita dhe e lemë vetëm një minutë në supë dhe më pas e servirim supën të ngrohtë.
(da.xha/Vila24/BalkanWeb)
