Rezultatet e ndeshjeve të para gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë konfirmuan edhe një herë se ky sezon ofron një rivalitet të jashtëzakonshëm në të dyja kompeticionet madhore të futbollit shqiptar. Ndoshta kjo ishte edhe meritë e shortit të Kupës, që vuri përballë skuadra me objektiva të njëjta, duke shmangur çdo lloj kompromisi, qoftë të heshtur mes 5 skuadrave që kryesojnë Superligën. Fitorja 1-0 e Kukësit, madje edhe në mungesë të tifozëve, e nxeh edhe më shumë duelin e kreut, që shpeshherë i ka kapërcyer kornizat sportive me akuza dhe ngacmime mediatike mes dy presidentëve Ardian Takaj dhe Safet Gjici. Në javën e 32-të, vetëm pak ditë pasi të jetë përcaktuar çifti finalist i Kupës, Kukësi dhe Skënderbeu do të përplasen sërish në “Zeqir Ymeri”, ndoshta për një duel që mund të vendosë edhe fatin e titullit kampion. Mirëpo më parë korçarët duhet të kalojnë një tjetër provë të rëndësishme në kampionat, teksa do të presin Partizanin në kuadër të javës së 30-të. Barazimi i Laçit me Tiranën në “Qemal Stafa” konfirmoi edhe një herë se skuadra kurbinase mbetet “macja e zezë” për bardheblutë në këtë sezon. Në katër përballjet e deritanishme formacioni i Armando Cungut ka triumfuar dy herë, 2-0 dhe 3-0, ndërsa dy sfida të tjera kanë përfunduar në barazim pa gola. Kalendari i javës 30, që luhet të dielën dhe të hënën favorizon Tiranën, që do të presë në “Qemal Stafa” Vllazninë, ndërsa katër skuadrat rivale të bardheblube do të përplasen me njëra-tjetrën. Kukësi do të presë në “Zeqir Ymeri” Laçin, ndërsa Skënderbeu luan në Korçë me Partizanit. Ky kampionat nuk të jep mundësi të mendosh përtej ndeshjes së radhës.

(d.d/j.s/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: