Këtë të diel në programin “Dola te Ola” ishte i ftuar regjisori dhe aktori i njohur Genc Fuga, i cili ndër të tjera foli edhe për familjen e tij.
Ai dhe aktorja Eni Jani prej 16 vitesh po jetojnë një histori të bukur dashurie. Teksa foli në program, aktori tregoi se sekreti që të mbash gjallë dashurinë është se duhet të luftosh çdo ditë për të.
Eni Jani kishte dërguar në program një video ku ata shiheshin të dy, dhe aktorja tregonte se nuk mundej të bënte një videomesazh për bashkëshortin e saj, pasi ai ishte gjithë kohës me të. Një video shumë e bukur dhe plot humor, por që e emocionoi pafund aktorin i cili u surprizua pasi mendonte se ajo ishte një video e realizuar për në rrjetet sociale dhe jo për në program.
Genc Fuga zbuloi se është një baba i përkushtuar. “E filloj ditën si burrë, vazhdoj si baba, si shofer, pastaj si pedagog, si aktor, si bir, se kam edhe mamanë. Në rast se nuk do të kisha një ‘çelës relaksi’ një nga rolet nuk do ta bëja mirë”.
Emocionues ishte edhe momenti kur në program u shfaqën videomesazhet nga vajzat e tij, me të cilat Genci si çdo baba ka një lidhje shumë të veçantë dhe të patjetërsueshme.
Në fund të rrëfimit të rrallë për jetën e tij, vëllezërit korçarë Endri dhe Stefi Prifti e përshëndetën Genc Fugën me këngën “Në pijetore unë jam ulur”.
