Shqipëria sfidon Poloninë në gjysmëfinale të Play Off të Botërorit, në përballjen e orës 20.45 të së enjtes. Ish-lojtari i Kombëtares, Redi Jupi, i ftuar në emisionin “Oponencë” në News24 tha se në Varshavë na duhet një ndeshje perfekte. Sipas Jupit, trajneri Sylvinho është inteligjent dhe për këtë ndeshje duhet të bëjë zgjedhjet e duhura që në fillim, të menaxhojë si duhet takimin dhe të bëjë ndërrimet e duhura.

Ndër të tjera, Jupi theksoi se diferencat mes kombëtareve nuk janë aq të madhe sa ç’janë në vlerat e kartonit.“Si mund të fitojmë ndeshjen? Na duhet ndeshje perfekte. Trajneri duhet të godasë me formacionin që në fillim. Menaxhimi i ndeshjes ka shumë rëndësi, të bëjë ndërrimet e duhura dhe të shpresojmë që lojtarët të bëjnë gjënë e duhur në fushë.

Fitorja ndaj Polonisë do ishte një hap përpara. Ne shkuam në Europianin e parë dhe më pas në Europianin e dytë. Ne duhet të kalojmë një hap më tej. Nëse fitojmë këtë ndeshje duhet të fitojmë dhe tjetrën që të shkojmë në Botëror. Fitimi i kësaj ndeshje na rrit në status, edhe pse asnjë nuk e pranon.

Nuk besoj kur Sylvinho thotë kam dy muaj që nuk fle. Sylvinho më duket trajner inteligjent, është më tepër emocional se ç’duhet. Gjimshiti më pëlqen shumë, për personalitetin dhe atë që jep në fushë. Po ta shikosh, jep gjithçka, ka karakter. Nëse ata kanë Lewandowskin, ne kemi Gjimshitin. Ne nuk kemi diferencë aq të madhe sa ç’janë në shifra”- tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb