Elbasani-Vllaznia do të jetë një tjetër sfidë e rëndësishme e javës së 35 të Superiores. Një sfidë që vlen më shumë sigurisht për verdheblutë, me ekipin e drejtuar nga Gvozdenoviç, që do të synoj ndaj shkodranëve suksesin e 5 radhazi në kampionat, për të tentuar vendin e 4, aq shumë të dëshiruar nga Elbasani, që tani e sheh këtë objektiv më pranë se kurrë, pasi diferenca me Partizanin është vetëm 1 pikë.
Ndërkohë në krahun tjetër Vllaznia vjen më e motivuar në prag të kësaj përballje pas suksesit 3-0 së fundmi ndaj Dinamos. Shkodranët kanë objektiv të mbyllin sezonin në një nga 2 vendet e para, për të patur avantazh në ndeshjet e “Final 4”.
Tekniku Brdariç vlerëson ndeshjen ndaj Elbasanit si një nga ndeshjet më të forta deri më tani që skuadra e tij ka këtë sezon:
“Kemi punuar fort për të arritur këtu ku jemi, nuk na ka ardhur si dhuratë nga lart. Duam të vazhdojmë këtë rrugë dhe rruga jonë ska përfunduar. Ndaj Elbasanit mund të jetë ndeshja më e fortë e sezonit, përballemi me një nga ekipet më të forta të Superligës, kanë pasur një seri të gjatë fitoresh, kemi një sfidë shumë të bukur dhe të provojmë që të mos lejojmë ata të hyjnë në “Final Four”.
Më pas tekniku kroat u ndal tek objektivi i kuqebluve këtë fund sezoni:
“Çdo gjë është e mundur deri në fund, e rëndësishme është që të jemi aty, dy vendet e para. Duhet të jemi të fokusuar, ka mjaft kundërshtarë kundër Vllaznisë,
Për mua është diçka speciale ajo që kemi arritur, privilegj që kemi arritur këtu, janë disa ndeshje ose pikë që mund të kishim marrë, gjithmonë ka diçka që mund ta rrisim. Jam shumë i lumtur që Vllaznia është në këtë situatë, në aspektin personal nuk kam shumë kohë që të mendoj për sezonin e ardhshëm dhe fokusi është vetëm këtë javë. Kemi ndeshje të forta dhe objektivi kryesor ishte sigurimi i “Final Four”, e dyta sigurimi i Europës që mund të jetë këtë javë dhe e treta që e kemi në mesjavë, të shkojmë në finalen e Kupës”.
