James Abdey, Drejtor Akademik i Asociuar në departamentin e Statistikës pranë London School of Economics (LSE), ishte sot i ftuar në podcastin “Luarasi”.

Ai ka deklaruar se gjatë trajnimit pranë Universitetit Luarasi, përqendrimi është në përmbajtjen akademikë, ndërsa ka shtuar se qëllim është implementimi i një qasjeje të re akademike, në stilin e LSE, që mbase është revolucionare për vendin tonë.

Abdey tha se në vlerësimin e studentëve, më shumë se sa përgjigja e saktë, vlerë ka rruga e ndjekur dhe metodologjia për të arritur në një përfundim.

Pjesë nga intervista e James Abdey:

Si e vlerësoni nivelin akademik, por edhe angazhimin e stafit dhe të studentëve në të gjitha këto ditë të trajnimit që jeni duke bërë pranë Universitetit Luarasi?

Epo, gjatë seancave ne jemi përqendruar në përmbajtjen tuaj akademike.
Kam theksuar shumë rëndësinë e vlerësimeve si pjesë e diplomave. Studentët do të japin disa teste online me pyetje me zgjedhje, por fokusi kryesor do të jetë në provimet e ardhshme në maj të këtij viti dhe, meqenëse ky është një program i ri, ka shumë pasiguri si për fakultetin ashtu edhe për studentët, kështu që duke qenë se kam vizituar shumë partnerë mësimdhënieje në të gjithë botën, i kuptoj pikat kryesore dhe veçanërisht për partnerët e rinj, kështu që është kënaqësi të kthehem për të ndihmuar Universitetin Luarasi.

Cilat mendoni që janë disa nga parimet themelore të pedagogjisë së LSE-së që përpiqeni t’i përcillni përmes këtyre trajnimeve në Universitetin Luarasi?

Epo, motoja e LSE-së në anglisht është të kuptosh shkaqet e gjërave dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me atë që do të kërkojnë ekzaminuesit, veçanërisht në provime, dhe ndërsa është mirë të marrësh përgjigjen e saktë për një pyetje, ekzaminuesit janë vërtet të interesuar të sigurohen që studentët të demonstrojnë se e kuptojnë lëndën dhe përmbajtjen.

Është në rregull të bësh gabime, prapëseprapë mund të marrësh një notë shumë të lartë nëse shpjegon metodën, teknikën, mendimet e tua dhe kjo është mjaft e ndryshme nga, ndoshta, sistemet e tjera arsimore dhe besoj se është mjaft revolucionare këtu në Shqipëri, kështu që thjesht dua t’i lejoj studentët, stafin të kuptojnë mentalitetin e LSE-së.

Duke parë në perspektivën tuaj, duke qenë se studentët shqiptarë patjetër që vijnë nga një program tjetër dhe ndoshta e kanë pak të vështirë binjakëzimin e tyre me kurrikulat e London School of Economics, si e mendoni që kanë për t’jua përçuar këto trajnime deri tani? Kanë qenë të aftë që të ambientohen me përfshirjen e këtyre kurrikulave në një formë të re studimi? Kanë qenë të aftë ta përthithin?

Epo, në të vërtetë, ky është proces përshtatjeje, sigurisht, studentët tanë kanë qenë në arsim më parë dhe janë të njohur me mësimdhënien, të nxënit dhe vlerësimin, por është një stil shumë i ndryshëm në modelin e LSE-së dhe është një proces i vazhdueshëm, nuk do të ndodhë menjëherë por gjatë këtij viti të parë akademik dhe me vizita të përsëritura, mund të shohim përmirësimin e vazhdueshëm të të kuptuarit të studentëve dhe duam që ata të arrijnë sukses të madh në raundin e parë të provimeve.

Cilat mendoni që janë disa nga kompetencat që duhet të zhvillojnë studentët shqiptarë për të qenë konkurentë në të gjithë këtë treg global? Pra, ku është përparësia konkurruese?

Epo, do të thoja se është kurioziteti intelektual. Në disa seanca, vetëm dje, me studentët, po bëja disa pyetje, ndërsa shumë prej tyre fillimisht menduan se përgjigjja ishte “Po” ose “Jo”, përgjigjja e saktë është “Varet”.
Një sekret i vogël këtu, gjoja, e theksoj “gjoja”, përgjigjja për të gjitha pyetjet e jetës është “Varet”. Bota nuk është gjithmonë bardh e zi dhe ky është ndryshimi në mentalitetin e të nxënit që po përpiqemi t’u ngulitim studentëve.
Pra, gjatë seancave të mia akademike, ka qenë shumë mirë të kem profesorë të fushave të ndryshme në të njëjtën sallë dhe t’u përgjigjem pyetjeve të tyre në mënyrë që të jenë të qartë në lidhje me pritjet akademike të LSE-së.
Në fakt, për modelin tonë arsimor për programet globale të LSE-së, ne në Londër përcaktojmë të gjithë përmbajtjen akademike, por në fakt ia kemi dhënë ofrimin e mësimdhënies, në këtë rast Universitetit Luarasi.

Tani, me çdo program të ri studimi, ka të panjohura të mëdha, pasiguri si për fakultetin ashtu edhe për studentët, dhe kjo është arsyeja pse është shumë e dobishme për vizitën time të ofroj atë “Zërin e Londrës”, në mënyrë që të gjithë të jenë të një mendjeje rreth asaj se cilat janë pritjet e kurrikulës nga ne në Londër.

Nëse më lejoni, e gjeta shumë frymëzuese të dëgjoja nga Delina dhe Sarah për përvojat e tyre deri më sot, “Studio Lokalisht, Mendo Globalisht”, marketingu po funksionon dhe në të vërtetë, ne në LSE e kuptojmë se jo çdo student mund të vijë të studiojë me ne në Londër për shkak të kufizimeve financiare ose për shkak se dëshiron të jetë afër familjes, kështu që për të qenë në gjendje të sjellim kurrikulën e LSE këtu në Shqipëri, e gjeta shumë inkurajuese të dëgjoja për përvojat tuaja deri më sot, kështu që jeni në një fillim i shkëlqyer.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb