Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, reagoi pas situatës së rënduar në juglindje të vendit, duke e cilësuar izolimin e zonës si pasojë direkte e një politike infrastrukturore të dështuar dhe të kapur nga korrupsioni.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se nga viti 2013 deri më sot, Shqipëria ka shpenzuar rreth 3.8 miliardë euro për infrastrukturën rrugore dhe koncesionet, një kosto që – sipas saj – është marrë nga buxheti i shtetit dhe nga xhepat e qytetarëve.

“3.8 miliardë euro është kosto e infrastrukturës dhe rrugëve nga 2013 deri më sot. Një kosto që ka dalë nga buxheti i shtetit, nga xhepat e qytetarëve,” – u shpreh ajo.

Tabaku theksoi se vetëm prej vitit 2022, fondi vjetor për rrugët është dyfishuar, nga 200 milionë euro në 400 milionë euro në vit. Megjithatë, sipas saj, rezultatet janë dramatikisht zhgënjyese.

“Cili është rezultati? Sot kemi rrugë të florinjta që po shkërmoqen,” – deklaroi ajo, duke shtuar se me kosto mesatare të Bashkimit Europian do të ishte ndërtuar një autostradë 300 kilometra nga veriu në jug, që do t’i shërbente realisht ekonomisë kombëtare.

Deputetja e PD e cilësoi strategjinë aktuale për infrastrukturën si “kosto e korrupsionit”, e përqendruar në pak duar dhe me efekt shkatërrues për ekonominë. Sipas saj, sot vendi përballet me pasoja konkrete: gjysma e territorit e bllokuar, fermerë që hedhin prodhimet dhe biznese që pësojnë humbje të rënda.

“Kush mban përgjegjësinë që sot gjysma e vendit është e bllokuar? Kush mban përgjegjësinë për fermerët që po hedhin produktet? Jemi në situatë lufte pa qenë në luftë,” – u shpreh Tabaku.

Ajo theksoi se përtej impaktit në buxhet, infrastruktura e dështuar ka një efekt të drejtpërdrejtë ekonomik tek qytetarët dhe bizneset, duke e cilësuar dëmin si të parikuperueshëm.

Në përfundim, Tabaku ngriti një pyetje politike mbi modelin e zhvillimit të ndjekur: nëse prioritet është interesi i qytetarëve apo interesi i pushtetit dhe i “pak duarve që kanë kapur ekonominë”.

“Sot infrastruktura është shembulli më i mirë që Shqipëria është përqendruar në pak duar dhe fatkeqësisht sheh vetëm interesin e pakicës,” – përfundoi ajo.

Reagimi i Tabakut vjen në një moment kur problematika e investimeve publike, kostove të larta dhe standardeve të punimeve është kthyer në debat qendror politik, veçanërisht në zonat që po përballen me pasoja direkte ekonomike nga bllokimi i akseve rrugore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb