Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur alarmin mbi veprimtarinë e Korporatës së Investimeve Shqiptare, duke e cilësuar atë si një institucion të kthyer në “kuti të zezë”, jashtë çdo standardi transparence dhe kontrolli ligjor.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku bën të ditur se i ka kërkuar zyrtarisht Kontrolli i Lartë i Shtetit të kryejë një auditim dhe hetim të plotë mbi aktivitetin e Korporatës së Investimeve, për shkak të mungesës totale të informacionit mbi procedurat, vendimmarrjen dhe përfituesit realë të aseteve publike.

Sipas saj, bazuar edhe në raportime mediatike, Korporata ka dhënë rreth 18–19 leje ndërtimi që lidhen me institucione kyçe publike – nga shkollat dhe shtëpitë e fëmijës deri te ndërtime në zona të ndryshme të vendit – duke vënë në dispozicion troje dhe asete publike pa procedura transparente, pa garë dhe pa llogaridhënie.

“Po jepen prona publike pa asnjë transparencë, pa u ditur kush i merr dhe kush përfiton. Kjo është një shkelje e qartë e ligjit dhe e interesit publik,” thekson Tabaku.

Deputetja njofton gjithashtu se i ka drejtuar një shkresë zyrtare vetë Korporatës së Investimeve, duke kërkuar informacionin që sipas ligjit duhet të ishte bërë publik: procedurat e ndjekura, lejet e dhëna dhe kriteret e përzgjedhjes së projekteve dhe subjekteve përfituese.

Duke e krahasuar situatën me skandalet e zbuluara në institucione të tjera shtetërore, përfshirë Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Tabaku paralajmëron se ajo që fshihet brenda Korporatës së Investimeve mund të jetë edhe më e rëndë. “Nëse për institucione të tjera ka pasur një formë llogaridhënieje, për Korporatën e Investimeve dyert kanë qenë të mbyllura dhe heshtja ka qenë totale,” u shpreh ajo.

Sipas Tabakut, Korporata e Investimeve po shndërrohet sot në marrësin më të madh të lejeve të ndërtimit në vend, duke tejkaluar rolin e saj ligjor dhe duke funksionuar pa kontroll institucional. Kjo situatë, thekson ajo, rrezikon të kthejë asetet publike në monedhë abuzimi dhe të minojë besimin e qytetarëve te shteti dhe ligji.

Në përfundim, deputetja e PD-së nënvizon se kërkesa për auditim nuk është politike, por institucionale dhe në mbrojtje të interesit publik: “Transparenca nuk është opsion. Është detyrim ligjor. Dhe çdo institucion që menaxhon pronën publike duhet të japë llogari.”

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb