Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka mbajtur një fjalë të fortë gjatë raportimit të Prokurorit të Përgjithshëm në Kuvend, duke e cilësuar situatën në vend si “produkt të një sistemi të pandershëm dhe të korruptuar që mbron pushtetin dhe jo qytetarin”.

“Shqipëria gjendet në vitin e 13 të qeverisjes së socialistëve dhe çdo ditë ndjen peshën e një keqqeverisjeje që fshihet pas zgjedhjeve të pandershme,” deklaroi Tabaku, duke iu referuar edhe raportit të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 2025, që evidenton përdorimin e administratës dhe burimeve publike në favor të pushtetit.

Sipas saj, rrënjët e krizës ekonomike dhe sociale që po kalon vendi ndodhen pikërisht te mungesa e demokracisë, kapja e institucioneve dhe pastrimi i parave që kanë deformuar tregun e lirë:

“Ky sistem ka zhvlerësuar euron në mënyrë të pakuptimtë ekonomike, ka favorizuar krimin e organizuar dhe ka shkatërruar mundësinë e qytetarëve për një jetë dinjitoze.”

Tabaku rikujtoi deklaratat e Prokurorit të Përgjithshëm Ols Çela të vitit 2022 për pastrimin e parave në ndërtim, duke kërkuar hetime të thelluara për rastet konkrete në Tiranë dhe jug të vendit.
Ajo përmendi edhe rastin e kompanisë “5D”, që kishte përfituar miliona euro nga Bashkia Tiranë dhe ishte shpallur investitor strategjik, ndërkohë që pronarët e vërtetë ishin drejtues të bashkisë.

“Ky është sistemi që pasuron një pakicë dhe varfëron shumicën. Një qytetar që punon me dy punë nuk përfiton asgjë, ndërsa një buxhetor duhet të punojë 19 vite për të blerë një apartament.”

Në fund të fjalës së saj, deputetja demokrate theksoi se mungesa e zgjedhjeve të lira dhe konkurrencës reale është burimi i gjithë padrejtësive ekonomike e sociale në vend:

“Kjo qeveri është shkaku i krizës së pamundësisë për të blerë një shtëpi, për të jetuar me dinjitet dhe për të pasur një të ardhme në Shqipëri. Sepse sa herë që i është dashur të zgjedhë mes qytetarëve dhe pakicës, ajo ka zgjedhur pakicën.”

Tabaku e përmbylli fjalën me një mesazh të qartë politik:

“Ne jetojmë në një moçal politik që ka për ideator këtë qeveri. Shumica duartroket, ndërsa vendi zbrazet. Por shqiptarët nuk janë të verbuar nga propaganda, ata shohin padrejtësinë çdo ditë.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb