Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si po funksionon Kuvendi, duke akuzuar mazhorancën për bllokim të debatit parlamentar dhe varësi totale nga qeveria. E ftuar në News24, Tabaku tha se Kuvendi është kthyer në noter të qeverisë.
“Sot është një projekt që shkon e vjen nga Parlamenti Europian, por gjithçka duhet të adresohet në Kuvend. Duhet të hapet diskutimi në Kuvend. Për tetë vite me radhë kam qenë deputetja më aktive në sallë, por që prej nisjes së këtij Kuvendi, nuk kemi folur. Dje prita gjithë ditën për të marrë fjalën dhe nuk arrita të them as ato që kisha përgatitur,” deklaroi Tabaku.
Sipas saj, çdo herë që mazhoranca nuk dëshiron debat, kalon direkt në votim, duke e kthyer Kuvendin në një institucion formal që nuk përfaqëson më qytetarët. “E thotë edhe raporti zyrtar se Kuvendi është vartëse e qeverisë, dhe kjo nuk duhet të ndodhë. Roli i opozitës është kyç për zhvillimin e demokracisë dhe për mbajtjen e qeverisë përgjegjëse,” u shpreh deputetja demokrate.
Ajo theksoi se opozitës i janë refuzuar mocionet me debat, interpelancat dhe kërkesat e bëra brenda rregullores, ndërsa e vetmja gjë për të cilën është rënë dakord deri tani, është debati mbi progres-raportin dhe raportin e ODIHR-it. “Nëse mazhoranca bllokon Kuvendin, ne duhet të gjejmë dritare për debat,” shtoi Tabaku.
Duke iu referuar diskutimeve për buxhetin e vitit të kaluar, Tabaku paralajmëroi për pasojat e kontratave koncesionare që, sipas saj, përbëjnë një rrezik real për financat publike. “Ka kontrata dhe procedura të parregullta, 70 projekte të hapura vetëm nga Ministria e Energjetikës. Problematikat janë të pafundme, pa folur për keqpërdorimin e fondeve publike,” përfundoi ajo.
